Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 15:41

Kiev – Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka ftuar vendet anëtare të organizatës së regjionit të Detit të Zi për bashkëpunim ekonomik (BSEC) që të njohin Kosovën, kurse delegacioni i Kuvendit të Serbisë paraqiti protestë të ashpër, siç vlerësoi ai, “ndaj këtij veprimi jodiplomatik të Topallit”.

Kryeparlamentarja shqiptare në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të kësaj organizate, duke marrë rolin e kryesueses, deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë Kosovës, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve Interfaks.

Ndërkaq, sipas “Blicit” të Beogradit, shefi i delegacionit serb në këtë tubim të BSEC-së,  Aleksandar Vllahoviq, ka thënë se përfaqësuesit serbë kanë reaguar menjëherë, duke theksuar se pavarësinë Kosovës e kanë pranuar vetëm tri, nga gjithsej 12 anëtare të BSEC dhe se nuk e pranojnë shumica e anëtareve të OKB-së.

Paraqitja e Topallit erdhi vetëm një ditë pasi Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi në samitin e vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit të Evropës juglindore në Shën Stefan ftoi shtetet pjesëmarrëse që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Presioni i shteteve që lobojnë për Kosovën ishte i dukshëm edhe gjatë takimit të paradokohshëm të Komitetit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, ku thuhet se është zhvilluar një luftë e vërtetë diplomatike ndërmjet grupit të vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që e mbështesin Serbinë.