Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:02

Tiranë-Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të debatojë dhe votojë të enjten një draft-rezolutë mbi situatën politike në Ballkan, e hartuar nga raportuesi i komisionit për çështjet politike, suedezi Björn von Sydow.


Në draft thuhet se pavarësisht një vlerësimi të përgjithshëm pozitiv të situatës në Ballkan, rritja e fundit e tensioneve dhe ngërci politik në disa pjesë të rajonit japin arsye për shqetësim.

Përsa i përket situatës në Shqipëri, në draft-rezolutë mirëpritet përfundimi zyrtarisht i zgjedhjeve lokale 2011.

Po kështu inkurajohen të gjitha partitë që të forcojnë pa vonesë funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda parlamentit mbi reformat kyçe dhe të domosdoshme që duhen ndërmarrë, me një vëmendje të veçantë ndaj bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në draft thuhet gjithashtu se mirëpritet marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale dhe u bëhet thirrje palëve që në reformë të kihen parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale si dhe të rritet mundësia që partitë e vogla të hyjnë në parlament.

“Kjo gjë”, sipas KiE, “do t’i jepte fund bipolarizimit që ka shënjuar politikën shqiptare dhe ka frustruar shumë popullin shqiptar në dekadat e kaluara”.

Lidhur me procesin e reformës elektorale, në draft-rezolutë thuhet se duhet të merret parasysh edhe këshilla e Komisionit të Venecias.

Raportuesi Björn von Sydoë kujton se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Jagland ka informuar autoritetet shqiptare mbi kërkesën ndaj Komisionit të Venecias për të dhënë një opinion se si mund të evitohen problemet e evidentuara gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Ndaj ai i bën thirrje Asamblesë të mbështesë propozimin e Jagland për të përmirësuar dhe qartësuar kodin elektoral për zgjedhjet e ardhshme.

Gjithashtu në të thuhet se anëtarët e komisionit të monitorimit mendojnë të rikthehen në Shqipëri në tremujorin e tretë të këtij viti për të vlerësuar progresin e bërë sa i përket zbatimit të obligimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës.

“Është shumë e rëndësishme që ngerci politik të mos vazhdojë të paralizoje procesin legjislativ dhe miratimin e reformave të nevojshme për vendin, përfshirë këtu fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”- thuhet ne draft.