Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 13:03

Tiranë – Kryetarja e Delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili u dërgua në Shqipëri për të monitoruar nga afër zgjedhjet e 8 majit, Hana Richtermocova, në një intervistë për Deutsche Welle-n, ka vlerësuar si pozitiv, misionin e Kongresit në Shqipëri.

“Ne patëm mundësi jo vetëm për të kontribuar në vlerësimin dhe këshillimin e këtyre zgjedhjeve, por edhe për të mësuar se si autoritetet lokale dhe kombëtare në Shqipëri përpiqen për t’u integruar më mirë në Evropë dhe për të adaptuar kuadrin ligjor, ndërkohë që mbajnë dhe karakteristikat e zhvillimeve lokale”, tha Richtermocova.

Duke u ndalur te elementët pozitivë të këtij procesi, ajo përmendi progresin e bërë për të organizuar një proces elektoral efikas dhe përpjekjet për të bërë transparente procedurat e votimit.

“Anëtarët e delegacionit tonë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, vërejtën një atmosferë të qetë gjatë ditës së votimit. Për fat të keq, siç dhe ju e dini, kjo nuk vlejti për kohën para dhe pas 8 majit, por unë mendoj se përpjekjet e Shqipërisë duhet të inkurajohen”, tha Richtermocova.

“Si një element pozitiv”, shton ajo, “mund të përmend se kemi vënë re, së bashku me anëtarët e delegacionit, se sjellja e njësive mediatike, edhe pse pak prej tyre mund të konsiderohen si të pavarura, ishte e balancuar”.

Richtermocova përmend edhe disa aspekte negative të vëna re gjatë këtj procesi. “Delegacioni ynë vërejti pasigurinë në përgjithësi për zbatimin e procedurës zgjedhore, nevojën për përmirësimin e mënyrës së shkarkimit dhe zëvendësimit të anëtarëve të komisioneve të votimit dhe mbi të gjitha trajnimin e tyre. Kjo ishte gjithashtu e dukshme gjatë procesit të stërzgjatur dhe të kontestuar të numërimit të votave. Dy interpretimet partizane të Kodit Elektoral dhe korrektësia e procesit të numërimit të votave janë kontestuar. Në këto aspekte, kuadri legjislativ elektoral dhe adiministrata zgjedhore duhen përmirësuar”, shprehet Richtermocova.

Përsa i përket sistatës së nxehtë dhe klimës së mosbesimit mes palëve, Richtermocova komenton se, “është për të ardhur keq që fushata elektorale, në vend që të fokusohej tek çështjet me interes lokal dhe në nevojat e komunitetit, kishte në qendër grindjet kombëtare dhe akuzat personale”.

“Sigurisht”, vijon ajo, “që janë të nevojshme përpjekjet për të instaluar një dialog konstant dhe konstruktiv mes partive politike, çdo kamp duhet të shmangë qëndrimet vetëm në pozicione partizane, të pranojë propozimet konstruktive nga pala tjetër dhe të marrë vendime në interes të publikut. Kjo është shumë e lehtë për t’u thënë dhe shpesh është mjaft e vështirë ta konkretizosh në realitet. Ajo që rrezikon procesin është interpretimi jo i ndershëm e rregullave dhe rritja e vendimeve me karakter partiak”.

“Sigurisht që dialogu konstruktiv është i një rëndësie të madhe, por në raste të caktuara, përtej këtij dialogu, rezultatet janë të nevojshme, madje ato janë të nevojshme të dalin me shpejtësi”, përfundon Richtermocova.