Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 17:38

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Bühler gjatë një vizite sot në në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (KCPSED) në Vushtrri tha se KFOR-i është ende i fortë dhe me strukturën e re të kësaj force paqësore të NATO-s, efikasiteti, fleksibiliteti dhe lëvizshmëria e njësiteve të saj është rritur.

Gjenerali Bühler shtoi se ushtarët ndërkombëtarë nën komandën e tij janë të përkushtuar për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurtë kudo në Kosovë, sipas Zyrës për marrëdhënie me publikun e KFOR-it në një komunikatë të përbashkët me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Edhe pse situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe e qendrueshme, KFOR-i është i gatshëm  të ndërmarrë veprime kundër kërcënimeve kurdo dhe kudo që të jetë e nevojshme. Megjithatë në një periudhë afatmesme dhe afatgjate PK duhet të marrë më shumë  përgjegjësi nga KFOR-i për të ofruar siguri dhe për të rivënë rend publik në rast nevoje”, ka theksuar Gjenerali Bühler.

Eshtë shumë e rëndësishme , ka thene ai, që Policia e Kosovës t ‘i ruajë vendet e trashëgimisë kulturore në mesin e tyre edhe disa manastire apo të ruaj më shumë zona kufitare nga ana e Njësive të Policisë Kufitare. “Disa nga këto detyra tashmë janë marrë përsipër nga PK dhe rezultatet janë shumë të mira dhe premtuese”, ka thënë ai.

Gjenerali Bühler ka përmbledhur vlerësimin e tij për Policinë e Kosovës duke theksuar se “të gjithë këta shembuj të punës profesionale të PK-së janë një zhvillim shumë premtues dhe mbështesin përshtypjen time se kjo forcë policore luan një rol kyç për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe bashkë me KFOR-in ofrojnë një kornizë të sigurisë dhe stabilitetit për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës. Qendra për Siguri Publike është shtyllëpër këtë performancë të shkëlqyeshme të PK-së.”