Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 16:40

Prishtinë – KFOR-i deklaroi sot se vazhdon të mirëpres heqjen e pengesave rrugore në Luginën e Zubin-Potokut dhe kudo tjetër nga popullata vendase dhe është i gatshëm të ndihmojë këtë.

“Është një hap në drejtimin e duhur”, theksohet në komunikatën e KFOR, i cili përkujton se mandati i tij është të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurtë si dhe liri të  lëvizjes së pakushtëzuar për të gjithë.

“Duke e thënë këtë, ne në mënyrë të qartë duhet të përsërisim se liria e pakushtëzuar e lëvizjes pa diskutim përfshin EULEX-in”, theksohet në komunikatë.

Më tej qartësohet se të gjithë përfaqësuesit vendorë në tërë pjesën veriore të Kosovës kanë qenë dhe janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë, pasi që kjo qartë dhe vazhdimisht është thënë gjatë tërë bisedimeve, angazhimeve dhe takimeve të rregullta të cilat komanda rajonale përgjegjëse e KFOR-it ka ndërmarrë për javë  të tëra dhe se rast i njëjtë ka qenë edhe gjatë takimit të djeshëm.

“Ne ripohojmë preferencën e zgjedhjes së çështjeve të pazgjidhura nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve. Ky është i vetmi princip për të cilin deri tani pajtohen KFOR-i dhe përfaqësuesit e komunitetit vendas.

Sidoqoftë është mirë të flasim por nuk është mirë të flasim për hirë të të folurit. Kjo do të thotë: restrikcionet në lirinë e lëvizjes janë të papranueshme.

Përdorimi i dhunës është i papranueshëm. Në veçanti sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën për mediat.

Sipas medias kosovare, asnjë gur nga barrikadat nuk e kanë lëvizur të mërkurën serbët në veri të Mitrovicës, ndërsa vetëm tre prej tyre i kanë larguar deri tash dhe për autoritetet ky veprim nuk vlerësohet si mundësim i lëvizjes së lirë.

Burimet nga veriu kanë raportuar se atje kanë qenë së paku 18 barrikada në rrugët drejt dy vendkalimeve kufitare veriore Kosovë-Serbi.

Dy rrugët kryesore magjistrale, Mitrovicë – Zubin Potok dhe Mitrovicë-Leposaviç janë ende të bllokuara nga shumë barrikada. Barrikada që konsiderohet më e madhja, që po e mban të ndarë edhe më shumë qytetin e Mitrovicës, ajo mbi urë, mbetet aty qe katër muaj. Vetëm një rrugë është zhbllokuar deri tash. Ajo është rrugë lokale që lidh Zubin Potokun me Zveçanin.