Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 16:31

Jarinjë –  Ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë vendosur një pikë kontrolli në rrugën ndërmjet Leposaviqit e Rashkës, para hyrjes në Jarinjë, njofton agjencia e lajmeve FoNet. Që nga mëngjesi aty janë grumbulluar serbë në protestë p[r të kundërshtuar zbatimin e paralajmëruar të Marrëveshjes mbi menaxhimin e integruar të pikëkalimeve kufitare ndërmjet Serbisë e Kosovës. Njoftohet se KFOR-i ka vendosur aty shumë automjete të blinduara, ka ngritur pikën e kontrollit dhe po bën kontrollin e komunikacionit. 

Automjetet po lejohen nga të dy anët në mënyrë alternative, kurse kontrollin në pikëkalimin kufitar Jarinjë po e bën personeli i EULEX-it.

Fare afër janë edhe pesë,gjashtë automjete të MUP-it të Serbisë.Në hapësirën përreth Jarinjës, në anën e Kosovës, kohë pas kohe po fluturojnë edhe helikopterët e KFOR-it.  

Mediat raportojnë se protestuesit po kërkojnë garanci me shkrim se nuk do të vendoset kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se në pikëkalimet e integruara nuk do të bëhet pagesa e doganës. Në pjesën veriore të Mitrovicës janë aktivizuar alarmet për kushtrim, kurse në shkollat e mesme e fillore orët janë shkurtuar në një gjysmë ore për shkak të të protestës në Jarinjë.(K.N)