Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 10:53

Mitrovicë  – Mjetet lokale serbe të informimit në Mitrovicë kanë njoftuar se, pas dhjetë ditëve të bllokadës së rrugës alternative nëpërmjet Tresavës në veri të Kosovës, KFOR-i është tërhequr dhe tani po lejohet qarkullimi i të gjitha automjeteve përfshirë edhe ato me peshë mbi tre tonë.

Kryetari i Leposaviqit, Dragisha Vasiq, u ka thënë medieve serbe, se komunikacionit në atë pjesë po zhvillohet pa kurrfarë pengesash, ndërsa edhe serbët i kanë larguar pengesat nga rruga në pjesën neutrale, në mes të Jarinjës dhe punktit policor në Rudnica.

“Serbët, të cilët në pjesë neutrale në mes të Jarinjës dhe Rudnicës kanë mbajtur të bllokuar njërën korsi dhe nuk kanë lejuar kalimin e kamionëve, i kanë larguar pengesat nga rruga dhe tani komunikacioni po zhvillohet normalisht edhe në atë pjesë, për vetura të udhëtarëve, autobusëve dhe kombi-automjeteve”, ka thënë Vasiq, sipas të cilit kamionët me mallra komerciale edhe më tutje lëvizin rrugëve alternative, për t’u ikur pagesës së doganës institucioneve kosovare. (Z.I)