Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 12:15

Prishtinë-KFOR-i do ti përgjigjet me të gjitha mjetet e duhura dhunës së grupeve kriminale në veri që vazhdojnë të sulmojnë trupat e misionit të NATO-s në Kosovë.  Deklarata është bërë nga vetë zëdhënësi I KFOR-it, koloneli Uwe Nowicki i cili konfirmoi raportimet në media se protestuesit përdorën armë zjarri kundër ushtarëve të misionit paqëruajtës. “Demostruesit sulmuan pozicionet e KFOR-it duke shkaktuar të plagosur. Ata hapën zjarr me armë të vogla kundër trupave të KFOR-it duke plagosur 25 ushtarë. Protestuesit përdorën edhe paisje shpërthyese si dhe kokteil Molotov. Por ata nuk mund të konsiderohen protestues paqësor, por të dhunshëm dhe kriminal. Deri tani KFOR-i ka përdorur vetëm gaz lotsjellës dhe plumba gome. Por në situata të tilla ku kërcënohej jeta, ushtarët e KFOR-it do të përgjigjen me të gjitha mjetet e duhura”-tha Nowicki .

Ndërkohë siç raporton Koha Ditore ka reaguar edhe zyra e NATO-s në Bruksel, duke deklaruar se po vëzhgon situatën me kujdes. “Përdorimi i dhunës kundër forcave të KFOR-it është e papranueshme”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të bashkëpunojnë plotësisht me të gjithë aktorët ndërkombëtarë në terren për të siguruar lirinë e lëvizjes pa shtyrje”. (LajmeShqip.com)