Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 18:37

Prishtinë-Përfaqësues të KFOR-it konfirmojnë se ka nisur largimi i barrikadave në komunën e Zubin Potokut. “Ata kanë nisur të heqin barrikadat dhe ky është hap i madh përpara”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowicki.

Ky njoftim vjen disa orë, pasi mediat serbe raportuan se është arritur një marrëveshje mes serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it, për qarkullimin e lirë në rrugën Zveçan-Zubin Potok, përkatësisht në Jagnjenicë, fshat ky, në të cilin javën e kaluar, KFOR-i u përpoq ta hiqte barrikadën e vendosur nga serbët.

“Nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të kemi liri të lëvizjes në komunën e Zubin Potokut. Barrikadat janë hequr vetëm në komunën e Zubin Potokut”, tha Nowicki. 

Mediat serbe njoftuan më herët për  një marrëveshje për lejimin e qarkullimit në rrugën që çon nga Zveçani në Zubin Potok, përkatësisht në Jangnenicë, e  arritur në mes të përfaqësuesit të Zubin Potokut, Slavisha Ristiç dhe atij të KFOR-it, Adolf Konrad.

Sipas marrëveshjes së cituar nga mediat serbe, në Jangenicë do të ngritet një postbllok, nga ku pjesëtarët e KFOR-it së bashku me policët nga stacioni i Zubin Potokut do të kontrollojnë trafikun. Por pas takimit me përfaqësues të KFOR-it, Ristiç tha se “kjo nuk do të thotë se do të hiqen barrikadat dhe se nga to do të largohen njerëzit”.

Sipas sekretarit shtetëror të Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, me këtë marrëveshje, hapet rruga për heqjen e barrikadave.

Por, lideri i Partisë Liberale Serbe, Çedomir Jovanoviç, ka thënë se me këtë marrëveshje nuk hiqen barrikadat, por i lejohet qarkullimi KFOR-it, gjë që sipas tij, ka qenë i mundur edhe me marrëveshjet e mëhershme.

Që nga vera e këtij viti, serbët kanë ngritur barrikadat nëpër rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë.

Duke kundërshtuar përpjekjet e KFOR-it për heqjen e barrikadave në javën e kaluar, protestuesit serbë plagosën me armë zjarri dy ushtarë gjermanë, dhe lënduan dhjetëra të tjerë me mjete shpërthyese.