Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 12:49

Mitrovice – Forcat paqeruajtëse të NATO-s larguan sot një barrikadë në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Barrikada ishte ngritur nga banorët lokal serbë për të penguar vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për opinion, forcat paqeruajtëse thanë se “qëllimi i operacionit ishte të largojë pengesat ne rrugë për të përmirësuar lirinë e lëvizjes jo vetëm për KFOR-in por gjithashtu edhe për organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Operacioni i forcave të NATO-s për largimin e barrikadës kaloi pa incidente.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se operacioni i sotëm ishte “demonstrim i hapur i forcës”. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin u tha mjeteve serbe të informimit se edhe KFOR-i edhe serbët në veriun e Kosovës duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, meqë dhuna sipas tij, u shkon për shtati vetëm atyre që nuk duan zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Forcat paqeruajtëse thanë se “misioni i tyre është të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë këtë mision në mënyrë të vendosur, kujdesshëm dhe në mënyrë të paanshme në përputhshmëri të plotë me mandatin e tij”.

Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën në veriun e Mitrovicës kundër marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të funksionalizimit të doganave në vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veri.

Përfaqësuesit e tyre, thanë se nuk do të pranojnë asnjëherë të jetojnë në Kosovën e pavarur, ndërsa i cilësuan marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si përpjekje për t’i detyruar me dhunë serbët e veriut të Kosovës që të integrohen në institucionet e Prishtinës.(LajmeShqip.com)