Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 17:16

Prishtinë – Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës aktualisht është e qetë. KFOR-i ka bërë të ditur se po mban nën kontroll dy pikat kufitare dhe se ka marrë në përgjegjësi komandimin në këto pika. Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se policët dhe doganierët janë të pranishëm në pikat kufitare 1 dhe 31.

KFOR-i ka marrë përgjegjësinë e komandimit në kalimin kufitar të pikës doganore të Jarinjes (Porta 1) dhe në Bërnjak (Porta 31). KFOR-i njofton se  Porta 1, në Jarinje, është mbyllur.

“Infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe do të mund të shembet, gjë që paraqet rrezik të madh për njerëzit. Automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, KFOR-i do të kontrollojë për armë dhe gjëra tjera të ndaluara dhe se në pikë kamionët nuk janë të lejuar të hyjnë.

Në pikën 31, në Bërnajk, kontrollat, gjithashtu, janë shumë të rrepta, për shkak të sigurisë, thuhet më tej në komunikatën e KFOR-it.

Më tutje theksohet se KFOR-i vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun në mënyrë që të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes. Ndërkohë policia e Kosovës së thotë se situata e sigurisë në veri të Mitrovicës është e qetë dhe po shkon drejt normalizimit. Zëdhënësi Brahim Sadriu bënë të ditur se në pikat kufitare 1 dhe 31 gjenden edhe policët dhe doganierët e Kosovës.

Forca të shumta të KFOR-it po qëndrojnë në urën mbi lumin Ibër dhe po zhvillojnë kontrolle të rrepta. Në ndërkohë për situatën e sigurisë në Mitrovicë mbledhje urgjente ka mbajtur Komiteti për siguri i Komunës së Mitrovicës nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Avni Kastrati. Aty është diskutuar për zhvillimet e fundit në këtë komunë.