Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 12:45

Nju Jork.- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të kërkojë sot, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbështetje për shpërbërjen dhe largimin e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës, si parakusht për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare në internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbledhja do të mbahet në orën 10.00 me orën lokale, çka i bie rreth orës 16.00 me orën tonë.

Sipas burimeve zyrtare të MPJ-së kosovare, ministri Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, do të shpalosë progresin e vazhdueshëm, që po shënohet në Kosovë, reformat e gjithanshme që po realizohen nga institucionet kosovare, si dhe aspekte të tjera të konsolidimit të shtetit më të ri evropian.

Ministri Hoxhaj do të ketë takime dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit do të prezantohet dhe diskutohet raporti për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Sipas njoftimeve të medias nga Nju Jorku, në raport vlerësohet se gjendja në pjesën veriore të Kosovës është e tensionuar dhe kjo situatë ndikon edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në bisedimet për perspektivën evropiane të rajonit. Në seancën e sotme merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç. (LajmeShqip.com)