Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 07:40

Tiranë – Këshilli i Prokurorisë shkarkoi në mbledhjen e djeshme drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit të Beratit, Xhemal Saliaj, me motivicionin për keqadministrim të dokumentacionit dhe mosushtrim të funksioneve drejtuese. Si drejtues në këtë zyrë është komanduar prokurori ArdianYlli.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme u shqyrtuan disa propozime të Prokurorit të Përgjithshëm për transferimin e disa prokurorëve në disa zyra të prokurorive në rrethe.

Këto transferime janë në funksion të mirëorganizimit të punës dhe fuqizimit të kapaciteteve njerëzore në përgjigje të dinamikës dhe volumit të punës të zyrave respektive, të evidentuara në analizat vjetore të kryera.

Këshilli i Prokurorisë me përbërjen e tij të plotë, në mënyrë unanime u shpreh në favor të realizimit të këtyre transferimeve.

Këshilli i Prokurorisë mori në shqyrtim edhe kandidaturën për drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Këshilli dha pëlqimin për emërimin në këtë funksion të prokurorit Arben Pasho, i cili ka ushtruar me sukses deri në këtë momente detyrën e drejtuesit të Njësisë Task Force të Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër.