Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 16:58

Komiteti i monitorimit te Këshillit te Evropës, përgjegjës për verifikimin e përmbushjes se angazhimeve dhe detyrimeve te marra përsipër nga vendet anëtare, diskutoi sot raportin mbi vendet anëtare ende nen procedurën e monitorimit. Eduard Shalësi I cili merr pjesë në këtë Komitet theksoi se gjate paraqitjes dhe diskutimit te raportit vjetor te Komiteti Monitorues mbështetur ne vizitën e raportuesve ne Shqipëri u nënvizuan një numër shqetësimesh qe përfshijnë sistemin e drejtësisë, diskriminimin e minoriteteve dhe përjashtimin social te komunitetit Rom, korrupsionin si dhe pastrimin e parave nga krimi i organizuar.

Një theks i veçante u vendos ne politizimin e ngjarjeve te 21 janarit gjate te cilave u vranë 4 protestues përpara zyrës se kryeministrit qe, siç ve ne dukje raporti, ka ndikuar negativisht ne pavarësinë institucionale te gjykatës dhe prokurorisë.
Po sot në debatin për Kosovën në Komitetin e Politikave të Këshillit të Evropës, deputetja Valentina Leskaj kërkoi rritjen e mbështetjes së KE për Kosovën mbështetur në rezolutën e Asamblesë Parlamentare.
Leskaj tha se Kosova ka bërë hapa pozitiv në raport me shtetin ligjor si dhe ka arritje në procesin e dialogut politik dhe negociatave.
Ajo kërkoi mbështetje për procesin e njohjes së Kosovës si dhe shqiptarët e Luginës se Preshevës të cilët duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzon çdo qytetar i KE.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Jagland, ju referua kërkesës së Leskajt për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës./tema/