Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:32

Prishtinë – Qeveria e Serbisë është duke kërkuar publikimin e regjistrave me emra të qytetarëve serbë të dyshimtë për krime lufte në Kosovë. Duke folur në emër të Qeverisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka theksuar se Serbia është e interesuar të publikojë emrat e të gjithë personave të dyshimtë. KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka pranuar një kërkesë të tillë zyrtare nga Qeveria e Serbisë apo edhe nëse Kosova po bëhet gati të dorëzojë listën me emra të të dyshimtëve serbë për krime lufte. Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka rekomanduar që përgjigjet të kërkohen nga përgjegjësja kryesore për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kryenegociatorja, Edita Tahiri.
Në një përgjigje të shkurtër zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se Serbia nuk e ka bërë këtë kërkesë asnjëherë në procesin e dialogut në Bruksel.
Publikimi eventual i emrave do të shkaktonte efekte negative në zbardhjen e drejtësisë, konsideron Fondi për të Drejtën Humanitare. Bekim Blakaj nga ky fond, thotë se Serbia nuk është marrë asnjëherë seriozisht me krime lufte.