Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 21:08

Uashington – Një ligjvënës amerikan ka kërkuar të hetohet burimi i parave që janë përdorur për të siguruar fotografinë që kreu i Partisë Socialiste Edi Rama bëri me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar.

Kongresisti nga Kalifornia, Dana Rohrabacher u ka kërkuar autoriteteve amerikane të hetojnë burimin e parave, pasi “nëse fondet kanë ardhur nga një vend i huaj, kjo mund të përbëjë shkelje të ligjeve amerikane’, thotë ligjvënësi amerikan.

Siç raporton Zëri i Amerikës, në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara te Amerikës, Erik Holder dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Rohrabacher, tërheq vëmendjen për blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për te marre pjese në aktivitetin e Presidentit Obama për grumbullim fondesh në San Francisco më 12 tetor 2012. Biletat, shkruan kongresisti, u blenë nga Bilal Shehu, shofer limuzine dhe gruaja e tij, e cila nuk mori pjesë në aktivitet.

Por në vend të saj, bileta u përdor nga udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

Shtetas të huaj si zoti Rama, shkruan më tej ligjvënësi në letrën drejtuar autoriteteve amerikane, e kanë të ndaluar të kontribuojnë në fushatat zgjedhore amerikane. Dana Rohrabacher është kryetar i nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë në Komisionin e Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve te Kongresit Amerikan.