Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 14:35

Tiranë – Ministria Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës me anë të një njoftimi u ka kërkuar strukturave përgjegjëse të shtetit zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.

Gjykata mori sot vendimin e ndërmjetëm, me anë të të cilit vendosi të pranojë kërkesën e Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) për lejimin e specialistëve që kanë lidhje me marrjen e masave për eliminimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e minatorëve në minierë, si dhe nxjerrjen e minatorëve grevistë nga ambjentet e minierës së Bulqizës.

Ky vendim erdhi, pasi më datë 15 gusht METE iu drejtua Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me kërkesën “Për mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe interesave pasurore të shtetit në Minierën e Bulqizës, me qëllim, zhbllokimin e situatës së rrezikshme, të krijuar në ambientet e brendshme të minierës së Bulqizës, për shkak të organizimit të një greve urie nga një grup minatorësh”.

METE sqaroi në kërkesën e saj se moskryerja e veprimtarive jetike për mirembajtjen e minierës përbën rrezik për bllokimin e minierës, duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkaterrimin e makinerive të instaluara në minierë, të cilat arrijnë një vlerë të konsiderueshme financiare.