Lajme Shqip Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 15:19

Mitrovicë – Tre serbë që kërcënuan mbrëmë vonë policinë e Kosovës, janë arrestuar, në Zveçan, ka njoftuar Policia e Kosovës. Një i dyshuar, 16-vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, është arrestuar dhe më pas ndaluar në lokalet policore për mbajtje, me vendim të prokurorit, për sulm ndaj zyrtarëve policorë në kryerje të detyrës zyrtare. Gjithashtu, pas kërcënimeve ndaj zyrtarit të policisë janë arrestuar edhe dy serbë të tjerë, ka njoftuar policia.

Incidenti është raportuar të ketë ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të së ditës së dielës, në rrugën “Mbreti Petër”, përkatësisht në afërsi të Urës së Hekurt, në Zveçan, në kohën kur një njësi patrulluese e stacionit policor ka tentuar të ndalojë për kontroll, një automjet të tipit “Audi B-4”, ngjyrë të zezë dhe pa targa të regjistrimit.

Ngasësi i automjetit nuk i ka përfillur urdhrat e policisë për ndalim, ndërsa iu është vërsulur policëve në pikë kontrolli, duke i vënë në rrezik të drejtpërdrejtë. Njësiti patrullues i është vënë në ndjekje automjetit të dyshuar, kurse me sukses ka arritur që të njëjtin ta lokalizojë në afërsi të manastirit, në fshatin Banjskë të Zveëanit. Dy persona të dyshuar e kanë braktisur automjetin dhe kanë filluar ikjen e tyre drejt një zone malore.

Njëri nga të dyshuarit, S.C. (1995), është arrestuar pasi policia po ndiqte gjurmët e të dyshuarve, ndërsa i njëjti ka rezistuar fizikisht arrestimin e tij, thuhet në njoftim.  I dyshuari i arrestuar është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj ij është caktuar masa e ndalimit policor, kurse është iniciuar hetimi i rastit për sulm ndaj zyrtarëve policorë në kryerje të detyrës zyrtare.

Dy persona të tjerë, ka bërë të ditur policia, njëri ndër ta babai i të dyshuarit të arrestuar, në orët e mbrëmjes, kanë shkuar në shtëpinë e të zyrtarit policor, i cili kishte kryer arrestimin, dhe të njëjtit kanë filluar kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj tij.

Njësitë patrulluese të stacionit Zveçan, të cilat kanë reaguar në rastin e kërcënimit ndaj zyrtarit policor në fshatin Rudare, kanë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit; C. Bozhidar (1967) dhe V. Jovo (1977), të përkatësisë etnike serbe. Bëhet e ditur se ndaj dy të dyshuarve të arrestuar është caktuar masa e ndalimit policor me autorizim të prokurorit publik. (LajmeShqip.com)