Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 11:13

Bruksel-Sipas një raporti të Komisionit Europian, toka e bukës në Kosovë është e helmuar dhe konsumimi i produkteve bujqësore të vendit, paraqet rrezik real për jetën e kosovarëve.

Sipas të përditshmes “Express”, dokumentet tregojnë se si qytetarët që ushqehen me frutat, perimet, mishin apo produktet e qumështit, rrezikohen në shkallë të lartë edhe nga vdekja. Produktet bujqësore që kultivohen në Kosovë po del se janë shumë të rrezikshme.

Madje konsumi i frutave, perimeve, mishit apo produkteve të qumështit, përfshirë qumështin, gjalpin e djathin me të cilat ushqehen qytetarët, mund të rezultojnë edhe me vdekje.

Kështu ka konstatuar Raporti i Komisionit Europian (EULUP) – “Përkrahja e mëtejme e shfrytëzimit të tokës”.

Ky raport hulumtues mbi ndotjen e tokës bujqësore, është përfunduar në janar të këtij viti nën mbikëqyrjen e Profesorit Wolfgang Spyra.

Të gjeturat nga analizat e bëra janë alarmante sa që rekomandohet sa më parë këto fakte të verifikohen dhe të përcillen me hulumtime shkencore për të evituar trazirat e mundshme sociale.

EULUP ka dëshmuar kontaminimin e tokës bujqësore, mbi normat e lejuara, me metale të rënda, në veçanti krom, nikel, plumb, zink dhe arsenik. Koncentrimi i lartë i këtyre ndotësve thuhet se është në të gjithë Kosovën.