Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 22:50

Bruksel-Pavarësisht premtimeve të shumta të qeverisë Thaçi, Komisioni Europian ka përsëritur sot se nuk ka ende një datë të qartë për nisjen e dialogut të vizave me Kosovën.

Gjatë konferencës për shtyp, sot në mesditë, trasmetuar nga EBS, zëdhënësi i eurokomisioneres Malmstrom, Michele Cercone tha se Komisioni është ende në proçesin e vlerësimit, bazuar në raportet e fundit të ekspertëve të vendeve anëtare, të cilët vizituan në fillim të dhjetorit Prishtinën.

Sipas tij, Komisioni po verifikon gjithashtu të dhënat e marra nga autoritetet kosovare “mbi disa çështje teknike dhe planin për zbatimin e çfarë ne u kemi kërkuar atyre”, tha ai.

“Komisioni është ende në këtë proçes vlerësimi dhe për këtë motiv, siç është shprehur komisionerja Mallmstrom, në këtë fazë të proçesit është mjaft e vështirë që të përcaktohet një afat kohor përfundimtar, apo të thuhet një datë e saktë. Ajo vetëm i është  referuar mundësisë se nga fillimi i vitit tjetër, ndoshta mund të bëhen hapa të mëtejshëm për nisjen e dialogut me Kosovën”, tha  zëdhënësi i komisioneres europiane për Cështjet e Brendshme.

Javën e kaluar, samiti europian miratoi konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Ballkanin, ku 27 vendet anëtare riafirmuan se Kosova do të përfitojë gjithashtu nga perspektiva e liberalizimit eventual të vizave, sapo të jenë plotësuar të gjitha kushtet, duke i përmendur autoriteteve në Prishtinë nevojën e progresit për fushën e drejtësise, lirive dhe sigurisë.

Të gjithë në Kosovë, prisnin që gjatë vizitës së tij ë Bruksel, kryeministrit të vendit Hashim Thaçi ti dorëzohej udhërrëfyesi i vizave, siç dhe ishte premtuar nga vetë qeveria por një gjë e tillë nuk ndodhi.