Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 18:17

Tiranë –  Komisioni Europian theksoi sot në takimin e 2-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, mbajtur në Bruksel, rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale në respekt të të gjitha standadeve ndërkombëtare.

Në këtë takim, ku pala shqiptare u përfaqësua nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ajo europiane nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Pierre Mirel u diskutua rreth zhvillimeve në Shqipëri në të gjitha fushat në harkun e një viti, nga marsi 2010, kur u zhvillua në Tiranë Komiteti i 1-rë i Stabilizim Asociimit.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Integrimit, “pala europiane theksoi rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale në respekt të të gjitha standardeve ndërkombëtare”.

Në po të njëjtën linjë me OSBE-në, sipas deklaratës për shtyp, pala europiane u shpreh se, “m e që ndryshimet në kod nuk mund të bëhen në prag zgjedhjesh, inkurajojmë partitë politike të vazhdojnë dialogun e nisur dhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale, të bëjnë ndryshimet e nevojshme në kod për të reflektuar rekomandimet e OSBE-së”.

Komisioni vlerësoi si “thelbësore çështjen e listave të votuesve”, ndërsa u deklarua se “duke u nisur nga shpenzimet e shumta për pajisje që qeveria shqiptare ka bere për procesin e liberalizimit të vizave, nuk e gjejmë me vend aplikimin e aparateve per verifikim te kartave ne qendrat e votimit”.

Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, “të cilin e quajtën një sukses historik”, thuhet më tej në deklaratë, Komisioni vlerësoi si “shumë pozitive situatën e post liberalizimit te vizave, pas monitorimit të vazhdueshëm që po i bëhet Shqipërisë në këtë drejtim”.

Burimet thanë se u mirëprit ngritja e nje strukture të re të Policisë së Shtetit dhe u vleresua progresi në luften kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerezore.

Per ceshtjen e korrupsionit, Komisioni inkurajoi iniciativat e ndermarra per kufizimin e imunitetit te zyrtareve te larte dhe gjyqtareve, mirepriti miratimin e ligjit per financimin e partive politike, si dhe zbatimin e rekomandimeve te GRECO.

Po ashtu, u bë e ditur se u vleresuan përpjekjet e qeverisë kundër diskriminimit të komunitetit rom, ligji antimafia, reforma në administraten publike dhe në mënyrë të veçantë, zbatimi i mirë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Përsa i përket kriterit ekonomik, u vlerësua maksimalisht qëndrueshmëria ekonomike, rritja e konkurrencës në treg si dhe politikat fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare.