Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 11:54

Prishtinë – Funksionimi efektiv i sistemit të ri për menaxhimin e kufirit (SMK) është një arritje tjetër e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, theksoi, të premten, në një komunikatë Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.

Falë implementimit të sukseshëm të projektit të financuar nga BE-ja, “Pajisje të BE-së për Policinë Kufitare të Kosovës”, kufijtë e Kosovës do të menaxhohen sipas standardeve evropiane. Autoritetet kufitare përmes këtij projekti në vlerë prej 1.1 milion euro, kanë instaluar një sistem të komunikimit që mund të harmonizohet me atë Shengen dhe kanë pranuar pajisje për kontrollin kufitar.

Funksionimi efektiv i SMK-së do të mundësojë kalim të strukturuar dhe të formalizuar kufitar për njerëzit që hyjnë dhe dalin nga Kosova. Ky system, gjithashtu, do të paralajmërojë policinë kufitare për rastet kur kriminelë të kërkuar tentojnë të hyjnë apo të dalin nga vendi.

Ekonomikisht, SMK-ja kontribuon në stabilitetin e vendit dhe si rrjedhojë do të inkurajojë investimet e huaja në Kosovë. Ky sistem në planin afatgjatë do të përmirësojë mirëqenien ekonomike të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zyra Ndërlidhëse e KE-së, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, organizuan sot një ceremoni për inaugurimin e sistemit të ri. Dita e ceremonisë koincidon me ditën e fundit në Kosovë të Kjartan Björnssont, ushtrues detyre i Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, i cili ka punuar në Kosovë për më shumë se katër vjet.

Me këtë rast, Björnsson tha se “ky sistem do të ndihmojë policinë kufitare për kontroll më efektiv dhe efikas të kufijve dhe të qarkullimit të njerëzve, që paraqet element të rëndësishëm të procesit të dialogut për viza. SMK do të rrisë kapacitetin e autoriteteve për kontrollin e kalimeve ilegale të kufirit dhe për luftimin e krimit të organizuar”.

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se “realizimi i këtij projekti është një hap i rëndësishëm për vendin tonë drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian”.