Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 16:38

Mitrovicë – Mirëmbajtja e projekteve të ndryshme që janë realizuar në Mitrovicë, vlerësohen pozitivisht nga Zyra Ndërlidhëse të Komisionit Evropian (KE) në Prishtinë. Ata vënë theksin në rëndësinë e këtyre projekteve që janë financuar nga KE-ja sa i përket zhvillimit ekonomik.

Shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Christof Stock, i shoqëruar nga kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka vizituar disa nga projektet e realizuara në Mitrovicë viteve të fundit. Ai ka parë për së afërmi projektin për fushat sportive në lagjen Bair, për të cilat komuna është duke u përkujdesur vazhdimisht.

Stock ka marrë pjesë edhe në takimin e Këshillit drejtues për tri projektet kapitale që do të nisin së shpejti në Mitrovicë; Rinovimi i palestrës së sportit, Qendra multifunksionale dhe Qendra tregtare. “Këto projekte do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik në Mitrovicë dhe do të krijojnë vende të reja pune”.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati e ka falënderuar shefin e KE-së në Prishtinë për mbështetjen e vazhdueshme. “Projektet që do të nisin në Mitrovicë, të cilat financohen nga KE-ja dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ndryshojnë Mitrovicën”.

Tha se një tjetër aspekt pozitiv për investimet që do të nisin është fakti se ato do të shtrihen në afërsi të lumit Ibër, duke mundësuar kështu që të jenë në dispozicion te qytetarëve si nga jugu ashtu edhe nga veriu i qytetit. “Janë projekte kapitale, të cilat do të gjenerojnë zhvillim ekonomik dhe do krijojnë hapësira integrimi për qytetin”.

Lidhur me procesin e përgatitjes për nisjen e projekteve, kryetari Kastrati, u zotua se komuna do të jetë shumë aktive në mënyrë që të mos ketë asnjë problem për realizimin e tyre.

Për detajet teknike, folën zyrtarë të kompanisë “Luisberger”, të cilët do të mbikëqyrin kryerjen e punëve. Ata sqaruan se në lotin e parë do të nis projekti për Rinovimin e palestrës së sportit dhe Qendrës multifunksionale, ndërsa në lotin e dytë Qendra tregtare.

Rinovimi i palestrës së sportit dhe Qendra multifunksionale do të realizohet nga kompania “Arlindi”. Vlera e kontratës është 9.8 milionë euro, ndërsa afati i kryerjes së punëve është 2 vjet. Ndërsa punimet për Qendrën tregtare do t’i kryej konzorciumi “Ipek-Arberia.com”. Vlera e kontratës është 8.5 milionë euro, ndërsa afati për kryerjen e punëve është 18 muaj.