Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 11:56

Tiranë – Përfundoi në Bruksel takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, forumi më i lartë ku përfaqësohen vendet anëtare, i cili diskutoi mbi ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, duke e konsideruar takimin konstruktiv, kërkoi nga partitë politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë për përmbylljen e reformave, përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. 

“Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar në përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politike në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj”, u shpreh Fyle.

Ai vuri në dukje progresin e arritur nga Shqipëria sa i takon reformave, por, sipas tij, duhet më shumë punë në përmbushjen e 12 prioriteteve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Delegacioni shqiptar në këtë takim përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe nga kryetari i komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.    

Ndërsa delegacioni i BE-së në takim kryesohej nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Fernando Xhentilini. (LajmeShqip.com)