Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 17:39

Prishtinë – Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar Ministrinë e Infrastrukturës për aplikimin e kritereve favorizuese në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale.

Vlera e këtij tenderi është rreth 7.5 milion euro dhe rasti është raportuar nga disa operatorë ekonomikë në ueb portalin interaktiv www.tenderi-im.org, që ka krijuar KDI  për t’u mundësuar bizneseve raportimin e rasteve të korrupsionit në prokurimin publik. Operatorët ekonomik janë ankuar se Ministria e Infrastrukturës ka aplikuar kushte diskriminuese në raport me kompanitë të cilat nuk kanë pasur kontrata të tilla në tri vitet e fundit.

Isuf Zejna hulumtues kryesor i projektit, Transparenca në Prokurimin Publik ka thënë se Ministria e Infrastrukturës me dosjen e tenderit ka aplikuar kushte të cilat pamundësojnë konkurrencën e lirë dhe të drejtë ndër operatorët ekonomik, duke i favorizuar operatorët të cilët në tri vitet e fundit kanë kryer mirëmbajtjen e rrugëve.

Përcaktimi i këtyre kritereve është një barrierë e pakalueshme për kompanitë e tjera të cilat nuk kanë pasur në tri vitet e fundit kontrata në mirëmbajtjen nacionale dhe regjionale të rrugëve. Edhe kompanitë të cilat kanë kryer mirëmbajtje të rrugëve në nivelin komunal të cilat potencialisht mund të plotësojnë kushtet dhe kapacitet teknike, e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë në këtë tender për shkak të përcaktimit të kritereve favorizuese.

Në tri vitet e fundit kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë pothuajse të njëjtat, gjë e cila e bënë konkurrencën jo-lojale në mes të operatorëve ekonomik.

Mëtutje Zejna ka deklaruar se kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve edhe në të kaluarën kanë qenë problematike dhe të njëjtat nuk janë audituar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), si rezultat i kërkesës së prokurorisë së EULEX-it, për të mos dëmtuar provat aktuale. Madje në vitin 2011, këto kontrata ishin vazhduar pa procedura të hapura të tenderimit për kompanitë e njëjta dhe në këtë formë vet ZAP ka konstatuar shkelje të ligjit.

KDI i ka bërë thirrje Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të ndërhyjnë në këtë rast për të garantuar konkurrencë të drejtë për të gjithë operatorët ekonomik në këtë proces. Nga Ministria e Infrastrukturës është kërkuar që të mos aplikohen kritere të cilat favorizojnë grupe të caktuara të biznesit në Kosovë.