Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 13:03

Mitrovicë – Komiteti për vlerësimin e sigurisë vlerësoi sot gjatë takimit me përfaqësues të strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë se, ende vazhdojnë problemet me barrikadat dhe lëvizjen e lirë në veri të Kosovës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se kushtëzimet e strukturave paralele për lëvizje të lirë në veri janë të papranueshme dhe synojnë faktorizimin e tyre.

“Kushtëzimet për lëvizje të lirë janë të papranueshme. Rrugët duhet të jenë të lira për të gjithë mekanizmat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për qytetarët”, theksoi ai.

Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, kryetari Kastrati theksoi se grupet serbe, që po i mbajnë rrugët të barrikaduara po kuptojnë se kjo formë veprimi nuk do të japë rezultate.

“Kjo formë veprimi nuk do të sigurojë asgjë për strukturat kriminale, që tentojnë të mbajnë gjendjen të pandryshuar. Shumë qytetarë të rëndomtë aty mbahen me presion nga strukturat paralele dhe grupet kriminale, që tentojnë me çdo kusht ta mbajnë situatën aktuale, meqë çdo stabilizim i situatës do të ishte edhe fundi i tyre”, u shpreh ai.

Si lajm të mirë kryetari Kastrati ka përmendur vazhdimin pa problem të procesit të rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara të shqiptarëve në veri.

“Rindërtimi është duke vazhduar pa problem në Kroin e Vitakut, në Kodrën e Minatorëve, Suhadoll etj”, tha ai.

Po ashtu, Kastrati foli edhe për fillimin e asfaltimit të rrugës në Kroin e Vitakut, të cilën do ta shfrytëzojnë banorët shqiptarë por edhe ata serbë, duke theksuar se “është ky një rast i mirë i bashkëjetesës së qytetarëve, duke pasur parasysh se në atë lagje ka pasur shumë tensione në fillim të procesit të rindërtimit”.

Ndërsa Ergin Mediç, nga policia rajonale e Kosovës, tha se, “policia është duke vazhduar të monitorojë ecurinë e rindërtimit dhe nuk ka asnjë problem. Po ashtu theksoi se nuk ka as incidente ndëretnike në veri”.