Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 16:45

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt ka kërkuar nga Beogradi që sërish të fillojë bisedimet me Prishtinën, ndërsa marrëveshjet e arritura deri tani duhet të zbatohen sa më shpejtë.

Bilt gjithashtu ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët e veriut të Kosovës janë të padobishme.

Ministri i Jashtëm i Suedisë dhe njëri nga njohësit më të mirë të rrethanave politike në rajonin  Ballkanit Perëndimor, Karl Bildt konsideron në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti” se Beogradi duhet sërish të ulet në tryezën negociatore me Prishtinën nëse dëshiron që më 9 dhjetor çështja e kandidaturës të shtrohet në rendin e ditës të Këshillit të Evropës. Pyetjes çfarë duhet të bëjë Beogradi në dialog me Prishtinën për ta fituar statusin e kandidatit, vetëm të vazhdojë dialogun apo të bëjë diçka më tepër, Bildt i është përgjigjur se sa më parë të përmbushen kushtet e Komisionit Evropian aq më mirë.

“Para së gjithash është me rëndësi që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri tani, si dhe të angazhohen në dialog, me qëllim që të shihet nëse mund të avancohet në atë drejtim” ka thënë Bilt.

Ndër të tjera Bildt ka thënë se për momentin kjo është gjithë ajo që mund të thuhet, ndërsa sipas tij mund të flitet për detajet por nuk mendon se kjo do të ishte produktive kësaj here për opinionin.

Ndërkaq, pyetjes se çfarë do të ndodh në qoftë se dialogu vazhdon dhe serbët nga veriu i Kosovës nuk e pranojnë vendimin e Beogradit, dhe nëse kërkojnë që barrikadat të qëndrojnë deri në momentin kur të vendoset mbi statusin, ministri suedez ka thënë se, fitimi i statusit është në lidhje konkrete me heqjen e barrikadave, por ka shtuar se gjithsesi, barrikadat janë të padobishme.

“Nuk jam në dijeni nëse ndonjë nga vendet anëtare e kushtëzon përparimin e  mëtejmë të Serbisë me heqjen e barrikadave, por vazhdimi i dialogut është detyrim”, ka thënë Bildt.