Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 19:30

Sarandë – Një mjek reumatolog, me detyrë kryetar i Komisionit të Ekspertimit Mjeko-Punëtor (KEMP), pranë spitalit civil të Sarandës, u ndalua për mitmarrje, njoftoi sot policia lokale, në jug të vendit.

“Jani Qirjaqi, 65 vjeç, ish drejtor i shëndetit publik në periudhën 2009-2010, u ndalua nga ekspertët kundër krimit financiar, pasi më parë kishte përvetësuar në mënyrë paligjshme shumën 25 mijë lekë të reja një personi, në këmbim të dhënies së raportit të invaliditetit (KEMP)”, thuhet në komunikatën e policisë.

Të njëjtat burime specifikuan se mjeku reumatolog ishte në hetim prej 3 muajsh. Policia saktësoi se ndaj mjekut të ndaluar rëndojnë dy akuza penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Shpërdorim detyre”.

“Dyshohet se Jani Qirjaqi, këtë praktikë kriminale e ka ndjekur edhe në disa raste të tjera”, thekson policia lokale, duke shtuar se, “tashmë një procedurë ligjore për paraburgimin e tij ka nisur, ndërsa provat materiale i kaluan organit të akuzës”.