Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 20:18

Tiranë – Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, të akuzuar për djegien e disa banesave të komunitetit rom, pranë stacionit të Trenit dhe për keqtrajtimin e disa pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, tha në një konferencë për shtyp, se shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë, identifikuan dhe më pas ndaluan autorët e kësaj ngjarjeje, nën akuzat e dëmtimit të pronës me zjarr, plagosjes së lehtë me dashje dhe prishjes së rendit e qetësisë publike. Autorët janë Klodian Vladi, 22 vjeç, banues në Tiranë dhe Besmir Vladi, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Disa ditë më parë, në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobta, ata kanë plagosur lehtë tre shtetas, pjesëtarë të komunitetit rom, dhe më pas kanë shkatërruar me zjarr dy prej banesave të tyre, duke i djegur ato plotësisht.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij konflikti, përfaqësues e pjesëtarë të komunitetin rom janë larguar për t`u zhvendosur në një tjetër zonë.

Procedimi penal në ngarkim të tyre, do të fillojë për konsumim të veprave penale të “dëmtimit të pronës me zjarr”, “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “prishjes së rendit e qetësisë publike”, ndërkohë që materialet e hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.