Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 12:04

Prishtinë – Ndarja e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk është në tavolinë. Këtë, e kanë pasur të qartë të dyja palët para se të fillonte dialogu, deklaroi zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Duke folur rreth dialogut zyrtari i lartë amerikan tha se dialogu nuk ka pasur synim dhe nuk është pritur t’i zgjidhë të gjitha problemet e vështira në një takim të vetëm. Mendoj se ne të gjithë, Prishtina, Beogradi dhe Brukseli në kryesim, kanë pritur se do të jetë një proces i ngadalshëm, i cili do të rezultojë me marrëveshje të vogla, me shpresë se do të rriten në marrëveshje më të mëdha dhe më të rëndësishme.

Dialogu është jashtëzakonisht shumë në interesin e popullit të Kosovës, qoftë në afat të shkurtër kohor, të mesëm apo të gjatë. Në kuptimin e menjëhershëm, nëse mund të ketë marrëveshje praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat do të lejonin qytetarët të udhëtojnë më lirshëm, të tregtojnë më lirshëm, të shtrihet sundimi i ligjit në Kosovë, të ofrohen shërbime më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjitha këto mund të kenë ndikim të menjëhershëm, të cilin qytetarët e Kosovës do ta vërejnë dhe ndjejnë dhe një gjë e këtillë do të vlente, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Kosovës, por edhe për qytetarët serbë të Kosovës.