Lajme Shqip Sunday, 17 June 2012 22:53

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preleminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Ilazi, ka fituar me 52.92 për qind të votave. Me këtë rezultat, PDK-ja siguron mandatin e kryetarit pa pasur nevojë për balotazh, ka konfirmuar Daka.

Paraprakisht edhe koalicioni i organizatave organizatave joqeveritare D4D dhe INPO kishte publikuar rezultatet e para, sipas të cilave kandidati i PDK-së, Besim Ilazi ka fituar me 53 për qind të votive.

Ai pasohet nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 20 për qind, i Vetëvendosjes me 16.5 për qind, i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 5.3 për qind dhe i Aleancës Kosova e Re, me 5 për qind. Në bazë të ligjit, kryetari i komunës mund të zgjidhet në raundin e parë nëse kalon 50 përqindëshin.

Të dielën në Kaçanik ka udhëtuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, i cili ka përgëzuar kryetarin e ri të të kësaj komune. Ndryshe, procesi i votimit është zhvilluar normalisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë nga ora 07:00 e mëngjesit dhe janë mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes.

Kryetarja KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa probleme. Kurse, shqetësuese mbetet dalja e ulët e qytetarëve në votime. Ajo ka theksuar se procesit të votimit i janë përgjigjur rreth 36 për qind e votuesve. (LajmeShqip.com)