Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 11:33

Prishtinë – Me ftesë të UNDP-së, zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, në cilësinë e Kryetares së Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE) mori pjesë në Konferencën Botërore të Grave 2011 në Ottava, Kanada, me temën “Inkluziviteti, eksluziviteti dhe izolimi: Të jetosh në një botë të globalizuar“.

Në konferencën ku morën pjesë personalitete të njohura politike, akademike dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota,Tahiri foli në panelin me temën “Çmimi i paqes – financimi për çështjet gjinore në vendet paskonfliktit për të përmirësuar ripërtëritjen dhe rindërtimin e këtyre vendeve”.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, në fjalën e saj, Tahiri vlerësoi përparimet në planin e fuqizimit të grave në mbarë botën duke theksuar se barazia e natyrshme mes dy gjinive është në rrugë të mirë dhe ftoi për një angazhim strategjik drejtë barazisë së plotë gjinore. Ajo foli për fuqizimin inkurajues të grave në Kosovë, në politikë dhe vendimmarrje, si dhe theksoi rolin e jashtëzakonshëm të grave për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin demokratik të Kosovës.

Në vazhdim, ajo prezantoi veprimtarinë e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore të cilën e drejton, duke theksuar se është një organizatë me vlera unike e cila angazhohet për forcimin e paqes, stabilitetit të rajonit, integrimet euro-atlantike dhe fuqizimin e grave. “Gratë kanë potenciale të mëdha për paqe dhe demokraci, andaj duhet të jenë pjesë e domosdoshme e vizionit dhe angazhimeve për një botë më të mirë”, tha Tahiri.

Gjatë ditës së djeshme, zv/kryeministrja Tahiri u takua me bashkëkryesuesen e Konferencës, Caroline Andreë, profesoreshë në Universitetin e Otavës, me të cilën biseduan për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e prosperitetit të grave.