Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:30

Tiranë – Vendoset “guri i themelit” për kampusin e ri universitar në Tiranë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi një fond prej 330 milionë lekë për ngritjen e godinës së parë të këtij kampusi, i cili do të jetë në krah të ish-Kinoklubit të Qytet Studenti, që tashmë, është pjesë e Fakultetit të Drejtësisë.

Krahasuar me 10 vite më parë numri i studentëve në Universitetin e Tiranës është dyfishuar, por mjediset e këtij Universiteti janë zgjeruar shumë pak për të mund të përballuar këtë fluks në rritje studentësh. Edhe Universiteti Politeknik, i dyti për nga numri i studentëve, ka paraqitur një projekt në Këshillin e Rregullimit të Territorit.

Korpusi i këtij universiteti, do të shtohet me një godinë tjetër në ambientet e pasme të tij, ku dhe fillojnë kodrat e Liqenit.

Të dy ambientet, si ato në Qytetin Studenti edhe ato në Kodrat e Liqenit, kërkohen nga ndërtuesit për objekte banimi, megjithatë duket se deri tani këto sipërfaqe janë ndër të pakat në Tiranë që po i rezistojnë lakmisë së biznesit.