Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 12:47

Në kuadër të turneut lobues në Afrikë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar në Yaounde të Kamerunit, kryeministrin e këtij shteti, Philémon Yang, së bashku me dy ministra të kabinetit të tij.

Gjatë këtij takimi, siç njoftohet përmes një komunikate për medie, Pacolli, edhe njëherë ka ripërsëritur kërkesën e tij për njohje të pavarësisë së Kosovës, si akt të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, dhe konform opinionit këshilldhënës dhe shumë të qartë të GJND-së.

“Ndërsa nga kryeministri Yang, Pacolli ka marrë konfirmimin se njohja e Kosovës është në proces e sipër”, thuhet në komunikatë.

Të dielën, Pacolli pritet të udhëtojë për në Sao Tome, ku do të zhvillojë një drekë pune me kryeministrin e këtij shteti, Patrice Trovoada.

Sipas agjendës, të hënën me 21 nëntor, zëvendëskryeministri Pacolli do të vazhdojë turneun e tij në Guinenë Ekuatoriale ku do të pritet në një takim nga presidenti i këtij vendi.Turneun e tij, Pacolli do ta vazhdojë edhe në shtetet e Azisë juglindore dhe SHBA.