Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 17:39

Prishtinë- Komisioni parlamentar miratoi amendamentet e  Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Sikurse në mbledhjet paraprake gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilën u shqyrtua Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, mori pjesë kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith.

Për të dhënë kontributin e tyre për harmonizimin e qëndrimeve rreth amendamenteve të propozuara nga Qeveria dhe ICO-ja me ato të Komisionit, në këtë mbledhje, po ashtu morën pjesë edhe zv/kryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikim Hapësinor, Dardan Gashi.

Sipas zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës, kryetari i këtij Komisioni Nait Hasani, fillimisht shfaqi mospajtim me deklaratat e anëtarit të Komisionit, Liburn Aliu, i cili në një prononcim për media pat deklaruar se gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, anëtarët e Komisionit i janë nënshtruar presionit të kryeministrit Thaçi dhe përfaqësuesit të ICO-së Pieter Feith.    

Lidhur me këtë, Hasani vuri në pah faktin se anëtarët e Komisionit kanë qenë të pavarur për të vendosur vetë për amendamentet, ndërkaq deklaratat e Aliut i quajti të pabaza dhe tendencioze. Anëtari i Komisionit, Aliu, nga ana e tij përsëriti qëndrimin për presion ndaj Komisionit, ndërkaq, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, vendosi të mos marrë pjesë në mbledhje duke e quajtur këtë si proces farsë.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve, me ç’rast u harmonizuan qëndrimet e Komisionit  me propozimet e amendamenteve të Qeverisë dhe ICO-së. Komisioni miratoi amendamentet e Projektligjit, përpos amendamentit 9, i cili rregullon përbërjen dhe kompetencat e Këshillit Monitorues dhe Zbatues (ZKM). Me miratimin e amendamenteve nga ana e Komisionit, Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, do të procedohet për shqyrtim në mbledhje plenare të Kuvendit të Kosovës. (LajmeShqip.com)