Lajme Shqip Sunday, 15 December 2013 19:23

Kallzimi ndaj Arben Imamit nuk ka qenë e para dosje në prokurori për çështjen e reklamave. Një tjetër padi është referuar gati një muaj më parë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në “Task-Force”, Prokurorinë e Tiranës.

 
Mësohet se, të akuzuarit për këtë tender, do të merren gjatë javës në vazhdim, për të dhënë dëshmitë e tyre për këtë skandal, shkruan shqiptarja.
 
Kallzimi penal është bërë ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori, bën të ditur Top Channel.
 
Ndërkaq, në orën 18:00 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pritet të japë një deklaratë për shtyp për të sqaruar çështjen.

Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë është ajo e shpërdorimit të detyres si edhe shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.
 
Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që ju drejtua Prokurorisë së Tiranës, kanë të bëjë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve në kuadër të liberalizimit të vizave.
 
Bëhet fjalë për pesë tendera në shkelje të ligjeve të prokurimit me një vlerë prej 318 milionë lekësh ose ndryshe thenë mbi 3 100 000 dollarë.
 
Sipas hetimit të bërë nga oficerët e policisë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka rezultuar se në tre tendera, komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave duke paracaktuar fituesin që në të gjitha rastet.
 
Është vetëm një kompani, ajo Promo, e cila ka marrë të gjithë shumën prej mbi 3 100 000 dollarësh.
 
Në të gjitha procedurat e kryera veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv.drejtori i Policisë, Rasim Borishi, ne kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit.
 
Një tjetër pikë e shkeljeve nga Komisioni i Prokurimit është se u shpall operatori fitues në bazë të çmimit dhe jo pikëve, ne kundërshtim me VKM në fuqi.
 
Një ndër pikat me shkeljen më të rëndë mbetet ajo se në dy procedura prokurimi mungon data e raportit përfundimtar të perpiluar nga ky komision, si edhe se në ftesat në ofertë, drejtuar operatorëve për pjesemarrje në prodhimin dhe transmetimin e spoteve publicitare, titullari i autoritetit kontraktor i është referuar një baze ligjore të shfuqizuar, thotë Top Channel.
 
Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në komisonin nuk ka patur specialistë të fushave.
 
Një ndër me flagrantet si shkelje konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi televizionet që do transmetonin spotet publicitare.
 
TË AKUZUARIT NGA ANA E PROKURORISË
Hysni Burgaj – Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Rasim Borishi – Ish- zv.drejtor i pergjithshem 
Kole Kukaj – Kryetar i komisionit të vlerësimit
 
ANETARË TË KOMISIONIT
Adelina Marashi    
Agim Hysko             
Besjana Martini     
Liza Tafili 
Meri Papakonstandini 
Klejda Plangarica          
Islam Cenga