Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 17:24

Kakavijë – Rreth 4500 emigrantë shqiptarë dhe turistë të huaj, kanë hyrë gjatë 13 orëve të fundit përmes vendkalimit kufitar të Kakavijës, 30 km larg qytetit të Gjirokastrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës, pohuan se “në këtë pikë të kalimit kufitar kanë hyrë 4500 emigrantë, nga të cilët 380 janë shtetas të huaj, 2200 automjete si dhe 60 autobusë të linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë”.
“Në dipozicion të emigrantëve funksionojnë 10 sportele, shtatë në hyrje dhe tre në dalje, ndërsa pala greke punon me 6 sportele, 3 në hyrje e 3 në dalje”, tha policia kufitare.
Sipas burimeve, aktualisht vihet re edhe një lëvizje e emigrantëve drejt Greqisë ku gjatë 13 orëve të fundit kanë kaluar 580 persona.
Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalimi kufitar, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit në drejtim të perëndimit.
Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.