Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 19:41

Kadri Veseli u bë sot anëtari më i ri PDK-së në Komunën e Mitrovicës. Në një ceremoni, para bashkëqytetarëve, miqve, simpatizantëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të partive politike, personaliteteve nga jeta publike dhe politike, Kadri Veseli mori librezën e partisë.

Më pas ai mori fjalën. Fillimisht përshëndet familjet e dëshmorëve dhe minatorët, të cilët i quajti krenari të Mitrovicës dhe pjesëmarrësit tjerë në këtë ceremoni.

Veseli tha se në Kosovë ka nevojë për ndryshime, por ato nuk mund të bëhen vetëm nga një njeri i vetëm.

“Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë ndryshimet, por mund të bëjmë dallimin, mund të bëjmë njerëzit të lëvizin, për të bërë më shumë për vendin e tyre. Kjo është arsyeje pse i bashkohem vizionit të PDK-së. Jam krenarë të jem pjesë e saj. Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për të zhvilluar vendin tonë”, shtoi Veseli.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bajram Rexhepi është shprehu i gëzuar me anëtarësimin e Veselit në PDK.

“Gjithmonë ka qenë i gatshëm të jap jetën e tij për Kosovë. Në momentet më të vështira për Mitrovicën ndihma e tij, për tejkalimin e sfidave ka qenë përcaktuese për Mitrovicën, prandaj unë e falënderoj shumë për këtë kontribut. Kadri Veseli ka potencial intelektual dhe me anëtarësimin e tij i ka bërë nder Mitrovicës dhe Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Edhe Bedri Hamza nga radhët e PDK-së ka thënë se anëtarësimi i Kadri Veselit në PDK, shton krenarinë e kësaj partie, të Mitrovicës dhe Kosovës.

“Sot PDK-së po i bashkëngjitet një anëtarë me kredit të madh njerëzor, intelektual dhe kombëtarë. Për ne na rrit përgjegjësinë. Na duhet e kaluara e tij, por është i nevojshëm edhe vizioni për të ardhmen i Kosovës”, shtoi Hamza.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Avni Kastrati tha se Kadri Veseli edhe si anëtarësi i PDK-së do të jep kontribut të çmuar për çështjen kombëtare edhe në çështjen e zhvillimit të Kosovës.

“Ne si bashkëqytetarë të cilët e njohim nga afër, jemi të sigurt me inkuadrimin e tij në PDK do të ndodhin reforma pozitive, nga të cilat do të përfundoj e tërë Kosova”, ka paralajmëruar Kastrati.

Veseli kohë më parë kishte refuzuar të kooptohet drejtpërdrejt në strukturat drejtuese të PDK-së, si shumë deputetë e ministra aktualë.

Në disa intervista për Media, ai ka paralajmëruar reforma rrënjësore në PDK dhe sjelljen e figurave të reja, përmes një procesi të rregullt. Shembullin për këtë e dha vet, me anëtarësimin e tij në nëndegën e PDK-së në Bair të Mitrovicë. (Gazeta Express)