Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 15:17

Nënkryetari i Parë i PDK’së, Kadri Veseli në janar të vitit 2012 paralajmëronte se ndikimi i Turqisë në ekonominë e Kosovës do të dëmtojë shtetin më të ri në Ballkan. Ai kishte dhënë një intervistë të gjatë për një portal gjerman “Grand Tourisme” ku konstatonte se blerja e aseteve të Kosovës nga turqit e dëmton Kosovën edhe në aspektin e integrimeve në BE. Madje, ish-shefi i SHIK’ut kishte konstatuar se ndikimi kaq i madh i turqve në ekonominë kosovare është vetëvrasje për Kosovën. “Para njëqind vitesh ne mezi kishim dalë nga tirania 500 vjeçare osmane. Zhvillimet aktuale në këtë drejtim sjellin me veti rrezikun e një vetëvrasjeje për ne”, kishte thënë ai.

 Ne po sjellim pjesë të intervistës të Kadri Veselit, i cili ka marrë pozitën më të lartë në PDK pas Hashim Thaçit, dhe i cili ka ndikim të madh edhe në Qeveri dhe Kuvend. Veseli nuk është parë të mërkurën në Aeroport, kur është përuruar Termninali i ri, ku ka marrë pjesë edhe Kryeministri turk Erdogan. 

 

 

Grand Tourisme: A ka kontakte me ekonominë gjermane?

Kadri Veseli: Po, por ata nuk mjaftojnë. Porsheja, Mercedesi dhe firmat tjera të mëdha ende nuk janë në Kosovë, ndonëse ne kemi më shumë mundësi tu ofrojmë atyre, se sa vendet tjera. Këtë mundësi e kanë kuptuar turqit. Aktualisht turqit po blejë gjithçka që shitet në Kosovë. Kjo para së gjithash është një përparësi e madhe për ekonominë turke, por jo edhe për ambiciet tona për një të ardhme evropiane të përbashkët. Në këtë drejtim kjo më shumë na dëmton.

Grand Tourisme: Në cilat lëmi po përfiton Turqia?

Kadri Veseli: Aeroporti, Energjetika dhe Telekomi duket se pa kthyeshëm do të blihen nga turqit. Personalisht konsideroj se është shumë e pa këndshme që ne si një vend evropian ti nënshtrohemi dhe biem nën ndikimin kaq të madh turk. Para njëqind vitesh ne mezi kishim dalë nga tirania 500 vjeçare osmane. Zhvillimet aktuale në këtë drejtim sjellin me veti rrezikun e një vetëvrasjeje për ne. Një vazhdimësi e tillë do të bllokonte të drejtën e kosovarëve të vendosin për resurset e tyre kombëtare. (Express)