Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 18:03

Dalja publike e ish nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, duke kërkuar që në zgjedhjet lokale të votohet kundër PDK-së, ka ngjalluar një debat të madh publik, por mbi të gjitha, partinë e kryeministrit Thaçi, e ka bërë të mendojë, se po e gjen fati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i pas “Kuvendit të karrigeve”.

Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, duke e komentuar këtë situatë të re politike brenda partisë së tij, mendon se roli i Fatmir Limajt është injoruar, gjë e cila sipas tij nuk do duhej të ndodhte. Ai ka thënë se partia nuk do duhej të lejonte që situata të vinte deri në këtë pikë, pasi sipas tij, Limaj është njëri prej baballarëve të PDK-së.

Por tani kur situata ka arritur në këtë pikë, ku Limaj kërkon ndëshkimin e partisë së tij, atëherë do të duhej të mblidhej kryesia dhe të shqyrtonte, përjashtimin e tij nga partia, bashkë kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, i cili gjithashtu ka dal hapur në mbështetje të Iniciativave qytetare në Drenas dhe Malishevë. “Elefanti është brenda në dhomë, ndërsa në PDK, po bëhen sikur nuk po e shohin”, ka thënë Buzhala në një intervistë në Klan Kosova.

Buzhala tha se ka pritur një mbështetje më të madhe për Limajn në Malishevë gjë që sipas tij nuk e ka parë në tubimin që u organizua të hënën, me ç’rast deputeti i PDK-së qartësoi pozicionimin e tij politik. Por megjithatë, beson se largimi i Limajt do ta dëmtojë PDK-në në zgjedhjet lokale, sidomos në komunën e Malishevës.

Duke qenë ndër të vetmit nga PDK-ja që ka folur për këtë temë, Buzhala tha se brenda PDK-së ka qenë një luftë mes Kadri Veslit dhe Fatmir Limajt për të vendin e dytë; prandaj pozicionimi i ish shefit të SHIK-ut si nënkryetar i parë, në një formë siç tha ai nuk i ka lënë vend Limajt në parti.

Ai tha se edhe pse Limaj para zgjedhjeve të fundit ka qenë nënkryetar i parë, realisht këtë fuqi e ka pas Kadri Veseli edhe pse zyrtarisht nuk ishte pjesë e PDK-së. /lajmeshqip/