Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 07:32

Prishtinë – Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, disa herë kandidat për çmimin Nobel në letërsi, gjykon se “krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan ishte një fitore e jashtëzakonshme për shqiptarët”.

Në një intervistë për Radio Kosovën Kadare tha se “e ardhmja e popujve të Ballkanit është në këtë rajon dhe vullneti i tyre, do të bëjë që të shkojnë drejt pajtimit dhe sqarimit të gjërave. Sigurisht që pajtimi ka një kriter bazë dhe ai është vendosja e drejtësisë dhe kërkimi i ndjesës”.

Kadare tha se nuk është kërkimi i ndjesës diçka sentimentale, është e domosdoshme. “Në historinë e popujve, njohja e krimit dhe kërkimi i ndjesës është ai që përcakton fatin e mëtejshëm midis kombeve, midis popujve, midis fqinjëve dhe kjo gjë do të ndodhë në Ballkan, se nuk bën”, u shpreh shkrimtari i madh shqiptar.

Ai tha se në këtë rast, e vërteta është në anën e shqiptarëve dhe pikërisht për këtë, populli shqiptar nuk ka pse të ketë frikë nga gjykimi dhe e vërteta.

Kadare foli edhe për tezat dhe opsionet që përmenden për shkëmbime territoresh apo bashkim të trojeve shqiptare. Ai tha se “krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, ka shkaktuar traumë në të gjitha rrethet antishqiptare në Ballkan”.

“Kjo kërkesë që vazhdon tashti, gjithmonë e moderuar, pa ndonjë trysni të madhe, është mençuri e shqiptarëve që të mos nguten për diçka që s’ka arsye që të nguten. Ishte një fitore e jashtëzakonshme krijimi i dy shteteve shqiptare, në Ballkan. Një mrekulli nga ato që ndodhin shumë rrallë në botë. Nga një shtet i tkurrur, Shqipëria, papritmas shpërthen një komb me dy shtete. Dhe mos kujtoni që kjo nuk ka shkaktuar një traumë psikike në të gjitha rrethet antishqiptare, në Ballkan”, tha Kadare.

Sa i përket raportit të Dik Martit, Kadare tha se iu dha rëndësi shumë e madhe pjesës së propagandës dhe retorikës, e cila nuk duhej të na kapte në befasi. “Gjëja e parë që duhej bërë kur doli raporti i Dik Martit, duhej thënë: ejani menjëherë të hetoni. Madje, Shqipëria dhe Kosova bashkërisht, duhej të nxisnin hetimet, jo të kishin frikë prej tyre. Sepse, nuk është as patriotizëm, as korrekte, që t’i të trembesh nga hetimi dhe të thuash nuk pranoj të hetohem. Prandaj, do të ishte logjike, dinjitoze, në mbrojtje të interesave shqiptare, nxitja e hetimit”, tha Kadare.