Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 13:57

Prishtinë – Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, eurodeputeti slloven, Jelko Kacin, ka deklaruar se ndarja e Kosovës sjellë edhe ndarjen e Serbisë.

Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Kacin është shprehur se “asnjë nga luftërat e viteve ‘90-të në Ballkan’ deri më tani nuk ka sjellë asnjë ndryshim kufiri shtetëror. Të gjithë kufijtë e brendshëm të Jugosllavisë së dikurshme deri më tani janë respektuar, andaj kështu pritet edhe në rastin e Kosovës”.

“Nëse flasim për ndarjen e Kosovës”, tha Kacin, “atëherë mund të flasim edhe për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe, në fund të fundit, edhe për ndarjen e Serbisë”.

“Mendoj se askush nuk është i interesuar që të ndodhë një efekt domino i tillë, që sërish do ta destabilizonte Ballkanin Perëndimor”, theksoi eurodeputeti slloven, Kacin.

Ajo që ne kërkojmë, shtoi ai, janë lajmet pozitive nga Ballkani Perëndimor, që do të mundësojnë që Serbia të fitojë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim.