Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 11:12

Tiranë- Zbardhet vendimi i Gjykatës për Krimet e Rënda në ngarkim të katër të rinjve të akuzuar për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” ndaj një biznesmeni.

Juristja 24-vjeçare ishte “karremi”. Ajo do të joshte biznesmenin e martuar për një raport intim, ndërsa miqtë e saj do ta filmonin kur të ishte duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Më pas, duke e kërcënuar biznesmenin me publikimin e videos, do t’i merrnin 100 mijë euro, shkruan në numrin e së shtunës gazeta Panorama.

Katër të rinjtë u dërguan si të pandehur në gjykatë pas kallëzimit të biznesmenit të dëmtuar J. R. PLANI Sipas gjykatës, në përfundim të gjykimit ka rezultuar e provuar se të pandehurit Altin Dardha dhe Rustem Koçi kanë hyrë në marrëveshje me të pandehurin Ervin Gjana që nëpërmjet të dashurës së tij, së pandehurës Ravjola L., të fusnin biznesmenin në kurth. “Të pandehurit së bashku janë marrë vesh se si do të vepronin, në mënyrë që i dëmtuari të përfshihej natyrshëm në marrëdhënie me të pandehurën Ravjola e të arrinte deri në raporte intime me të, të filmonin e dokumentonin marrëdhëniet mes tyre, me qëllim që më pas të kishin mundësinë e kërcënimit të tij për publikimin me synim që ai të detyrohej për t’u dorëzuar para”, thuhej në vendim.