Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 10:19

Tiranë– Juristë të njohur në vend, kanë mendime të ndryshme përsa i përket debatit që po zhvillohet mes kreut të shtetit Bamir Topi dhe mazhorancës për zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Konstitucionalisti Luan Omari mbështet parimisht propozimin e kreut të shtetit, pasi sikurse thekson ai nuk ka asnjë pengesë ligjore që nënkryetari të jetë nga radhët e gjyqtarëve. 

Me të njëjtit mendim është edhe ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi dhe ish-kryeinspektori i KLD-së, Dhimitraq Prifti. Ndërsa ish-numri një i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, është kundra propozimit të Presidentit të Republikës, teksa shprehet se, “nëse Presidenti vërtet ka propozuar për zv. kryetar të KLD-së një gjyqtar cilido qoftë ai, mendoj se ka gabuar”. Më poshtë, mendimet e tyre pro dhe kundër propozimit të kreut të shtetit për kandidaturën e zv.kryetarit të KLD-së.

Lufta” për zgjedhjen e nënkryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duket se do të zgjasë shumë, duke thelluar në këtë mënyrë konfliktet e forta mes Presidentit Bamir Topi dhe mazhorancës qeverisëse. Mbledhja e parashikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme është shtyrë, njofton kryesekretaria e KLD-së. Na u komunikua se mbledhja nuk do të zhvillohej të mërkurën pasi Presidenti z. Bamir Topi do të udhëtonte për një vizitë drejt Maqedonisë.

 Gjatë mbledhjes së të hënës pati debate të forta lidhur me emrin e propozuar nga Presidenti Topi për postin e nënkryetarit të KLD-së. Kundra kreut të Shtetit doli ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, anëtarët Neshat Fana, Lefterie Lleshi dhe Hysen Saliko, të cilët mbështetën tezën se emri i nënkryetarit duhet të ishte nga mesi i atyre anëtarëve të ardhur nga Kuvendi. Në një kohë që më herët, gjatë pjesës së parë të mbledhjes kishin kërkuar që votimi për nënkryetar të zhvillohej pas zgjedhjes së Presidentit të ri, kohë në të cilën Bamir Topit i duhet të lërë detyrën, por këtë betejë e humbën me votë. Pro kandidaturës së Presidentit, dolën Shpresa Becaj anëtare e Gjykatës së Lartë, anëtarët Besnik Imeraj e Dhurata Haveri. (GSH)