Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 18:44

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përshëndeti sot zgjedhjen e znj. Atifete Jahjaga, si Presidente e Republikës së Kosovës.

Në një mesazh urimi dërguar znj. Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, shprehet se, “jam e lumtur që Kosova në shenjë të lartë emancipimi ka sot një president grua”.

“Në emrin tim dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të mira për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës dhe si e para grua në këtë post të lartë dhe të nderuar. Unë gjej rastin të përgëzoj liderët politikë të Kosovës që treguan pjekuri dhe emancipim për të vënë interesat e vendit mbi çdo gjë dhe përballuan me sukses këtë sfidë në të mirë të popullit të Kosovës, për të vazhduar reformat dhe perspektivën evropiane te vendit tuaj. Por mbi të gjitha unë jam e lumtur që Kosova në shenjë të lartë emancipimi ka sot një presidente grua dhe gratë dinë të bëjnë më të mirën për vendin e tyre”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.