Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 14:51

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në një takim, zv/drejtorin e përgjithshëm të zgjerimit në BE, Stefano Sannino.

Në këtë takim, kryetarja Topalli e informoi zv/drejtorin Saninno për zhvillimet pozitive brenda Parlamentit, ndryshimet e Rregullores dhe efektet pozitive që ato kanë pasur në debatin parlamentar.

Ajo gjithashtu e njohu zyrtarin e KE-së mbi vendimin dhe votimin në Parlament për kufizimin e imunitetit, si shprehje e vullnetit dhe e vendosmërisë së maxhorancës në plotësimin e këtij prioriteti.

Me këtë rast Topalli theksoi rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i sinqertë dhe vullneti politik i drejtpërdrejtë i partive politike për integrimin.

Sipas saj, në rrethanat që kalon Shqipëria, refuzimi për të votuar ligjet me votë të cilësuar, refuzimi për të përdorur instrumentet e kontrollit parlamentar, nga cilido që të vijë, mund të shpjegohet vetëm me mungesën e vullnetit politik për t’i shërbyer integrimit. “Koha kërkon që politika, vullnetin pozitiv ta demonstrojë me veprime direkte”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.