Lajme Shqip Sunday, 09 August 2015 08:17

Rrëfime të torturës, zhgënjimit dhe shpresës fshihen prapa mureve mbi pesë metra të larta. Sipër ka tela gjemborë. Nuk janë dëmtuar krahët e portës kryesore të qendrës së tmerrit. Por është hequr vetëm krahu i derës së vogël që çon drejt oborrit të brendshëm.

“Pse nuk keni marrë çizme me vete”, thekson një banor lokal në hijen e parkut para burgut të dikurshëm në Gurrakoc. “Është pisllëk i madh brenda”, shton mustaqeziu në mes të pesëdhjetave, shkruan sot Koha Ditore.

Burgu i të gjithëve dhe i askujt

Burgu i dikurshëm është pronë e të gjithëve dhe e askujt. Dikur ishte pjesë e sistemit jugosllav e atij serb të burgjeve. Tani është pronë e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, njofton Bedri Hasanaj, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike i Komunës së Istogut.

Qeveria e Kosovës nuk ka shtrirë dorën në objektin e saj në fshatin multietnik në qytezën perëndimore. Ndërtesa dykatëshe është plasaritur gjithkah.

Pllaka e betonuar nuk u ka rezistuar ujërave të zeza të katit të sipërm. Poshtë kundërmojnë erërat e tualeteve. Shefkije Gashi (35) ngutet të mbyllë perden e improvizuar të nevojtoreve të poshtme në momentin kur stërpikat e ujit të kanalizimit rrjedhin nga lart.

“Katastrofë. E kemi qit këtë perde sa mos me u pa”, thekson Gashi, banore rome që jeton qe nëntë vjet në ndërtesën e lënë pas dore prej shtetit. Ndërkohë uji i fëlliqur vërshon dyshemenë. Materialet inerte e fekalet përzihen përballë hyrjes me dyer të krisura të objektit.

“Veç zori se këtu është katastrofë”, thekson burri i Shefkijes, Selim Buçaj (60), në dhomën-shtëpi. Ka një vit që bashkëjeton me Shefkijen, e cila të birin, Mërgimin (4), e ka me burrin e ndjerë, që vuante prej epilepsisë