Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 17:15

Mitrovicë – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka vizituar familjen e Tahir Kelmendit në fshatin Kelmend të Komunës së Zveçanit, i cili jeton pranë vendit ku është vendosur barrikada në fshatin Rudare, në veri të Kosovës.

Kryetari Kastrati ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre, nuk janë zhvendosur prej atje. Ai siguroi se pushteti lokal në bashkëpunim me atë qendror, do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe gjithë qytetarët që jetojnë në veri.

Në këtë kontekst, kryetari Kastrati, falënderoi të gjithë qytetarët e veriut, të cilët ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto dy javët e fundit, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë.

“Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të dalë në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Ai theksoj se bllokadat e rrugëve, të cilat kanë nisur të eliminohen tashmë, kanë krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. Shqiptarët që jetojnë në tre fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit që dy javë, kanë mbetur të izoluar për shkak të këtyre bllokadave.

Si përgjigje ndaj kësaj situate, ai tha se komuna ka ndihmuar dy herë me artikuj ushqimore dhe mjete higjenike këta banorë.

Ndërsa Tahir Kelmendi, falënderoi kryetarin Kastrati për vizitën dhe tha se, ai nuk ka kurrëfarë nevoje për kurrëfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që e lidh me fshatin shqiptar Boletin, të cilin e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga në Rudare.

Ai tha se kur nuk ka probleme, vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. “Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por përveç ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telash të madh”, tha ai.

Kelmendi tha se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk kam ndërmend  të lëvizë. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”, theksoi ai.