Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 09:32

Nga shtatori i vitit 2011 e deri tani onkolgia dhe ish-drejtoreshë e Klinikës se Onkologjisë, Mejreme Krasniqi-Maloku, ka punuar pa licencë. Ajo të martën ka dhënë dorëheqje si mjeke e kësaj klinike të QKUK-së, por nuk ka treguar për arsyet e këtij veprimi.

“Pse po ju intereson… për arsye personale”, ka thënë ajo. Për dorëheqjen e kësaj mjekeje nuk ka informata zyrtare Zyra e Informimit në QKUK. Ajo ka marrë më 2010 licencë njëvjeçare nga Ministria e Shëndetësisë, por ka vazhduar të punojë edhe katër vjet të tjera pas vitit 2011, kur i ka skaduar ajo, shkruan sot KOha Ditore.

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se ka informata dhe është duke e shqyrtuar këtë rast, ndërsa drejtori i QKUK-së ka thënë se nuk ka fare njohuri që Krasniqi-Maloku është duke punuar pa licencë në institucionin që drejton ai.

Gazeta tash e disa javë është duke e hulumtuar mënyrën se si është licencuar kjo mjeke dhe si ia ka dalë të punojë në këtë lëmi pas vitit 2011. Në dosjen të cilën e kishte dorëzuar në vitin 2010 për licencim si onkologe, të cilën e posedon gazeta, kandidatja ka prezantuar diplomë specialistike për pulmologji, por jo edhe diplomë për subspecilizim në onkologji.

Në vend të diplomës së certifikuar për subspecializim ajo ka prezantuar vërtetim që tregon për kryerjen e praktikës subspecialistike në Institutin për Radioterapi dhe Onkologji në Qendrën Klinike në Shkup dhe që vlerëson se kjo praktikë është e barasvlershme me subspecializim.

Krasniqi-Maloku është licencuar si onkologe më datën 30.09.2010, rreth dy muaj para se të hapej Klinika e Onkologjisë në QKUK.