Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 11:57

Prishtinë – Moti i ftohtë dhe reshjet e borës do ta përcjellin gjatë këtyre ditëve Kosovën. Temperatura do të sillen nga 0 deri në -10. Kurse, gjatë janarit temperaturat do të ulen deri në -20 gradë.

“Temperaturat do të sillen nga 0 deri në -10. Sot gjatë ditës do të jetë një ditë me diell, kurse gjatë natës do të ketë reshje të borës”, ka thënë Sylë Tahirsylaj.

Ai ka theksuar se edhe gjatë ditës së mërkurë do të ketë reshje të borës. Sipas tij, janari pritet të jetë me i ftohtë, ku temperaturat do të ulen deri në -20 gradë. (RTK)

Bora dhe të ftohtit kanë vështirësuar qarkullimin

Bora që ka rënë gjatë vikendit ka vështirësuar trafikun nëpër të gjitha rrugët e vendit. Në pjesën më të madhe të Dukagjinit, trafiku është vështirësuar relativisht shumë, ndërsa si rezultat i të reshurave të vazhdueshme të borës dhe ngricave, ky rajon po ballafaqohet edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.

Pavarësisht borës dhe të ftohtit, të gjitha rrugët e vendit janë të kalueshme, njofton Policia.

Sipas Policisë, akset rrugore më të vështirësuara për qarkullim mbeten ato në rajonin e Pejës, por edhe në disa rajone tjera siç janë zonat malore duke përfshirë zonën e Brezovicës, Prevallës, Bajgorës dhe atë të Dragashit.

“Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore, ku bora dhe ngricat janë të pranishme”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndërsa Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, bëri apel te të gjithë ngasësit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, sidomos gjatë natës. “U bëj apel te të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, sidomos gjatë orëve të vona të natës, sepse në këto orë temperaturat po zbresin shumë dhe po shkaktohen ngrica të mëdha në rrugë ”, theksoi Kelani.

Ndërkaq, Sylë Tahirsylaj, nga Instituti Meteorologjik i Kosovës, ka thënë se ky dimër nuk do të jetë më i ashpër se vitin e kaluar. Sipas tij, gjatë tërë javës temperaturat do të jenë nën zero gradë celsius si dhe gjatë gjithë javës do të ketë reshje të borës.

“Sonte (mbrëmë) temperaturat do të shkojnë deri në – 14 gradë celsius. Ky dimër nuk do të jetë i ashpër se vitin e kaluar. Si dhe gjatë ditëve në vijim të gjitha temperaturat janë nën zero gradë celsius si minimale ashtu edhe ato maksimale. Të hënën (sot) nuk do të ketë reshje të borës, por prej të martës do të ketë reshje bore të intenzitetit të njëjtë, si dhe e gjithë java do të jetë me borë”, ka treguar Tahirsylaj.

Lahudin Myrtaj, drejtor i Drejtorisë së rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se kjo ministri i ka angazhuar gjithsej 10 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve e që njëra prej këtyre kompanive është e angazhuar që të përkujdeset vetëm për autostradën.

“Ministria e Infrastrukturës i ka operatorët e vet ekonomikë, të cilët operojnë në mirëmbajtjen verore dhe dimërore, qe dy vjet operojnë kompanitë e njëjta. Janë shtatë rajone dhe dy nënrajone. Nëntë kompani janë të cilat i kanë kontratat për mirëmbajtje verore dhe dimërore si dhe është një kompani tjetër e cila e mirëmban autostradën”, ka treguar Myrtaj.(LajmeShqip.com)